Thomas Delamarre – i ftuari i radhës nga Harabel Contemporary Art për një bashkëbisedim mes pjesëmarrësish që i përkasin botës së artit – bëri të njohur veprimtarinë e Fondacionit Cartier për artin bashkëkohor me vendndodhje në Paris.

...

Fondacioni Cartier e ka nisur veprimtarinë në vitin 1984 nga Alain Dominique Perrin, Presidenti i Cartier International në atë kohë, me një sugjerim nga artisti César dhe i drejtuar nga Hervé Chandès. Që kur u vendos në Paris në vitin 1994, Fondacioni Cartier është vendosur në një ndërtesë plot ajër e dritë, projektuar nga arkitekti Jean Nouvel. Në këtë mjedis të papërsëritshëm marrin jetë ekspozita, konferenca dhe prodhime artistike.

Fondacioni Cartier përbën në të njëjtën kohë një hapësirë krijimi për artistët dhe një vend ku arti e publiku i gjerë mund të takohen, si një formë përkushtimi ndaj njohjes së gjerë dhe ngritjes së vetëdijes publike për artin bashkëkohor, duke e bërë atë më të prekshëm. Çdo vit, Fondacioni Cartier organizon një program të ekspozitave të bazuara në artistë ose tema individuale. Gjithashtu organizohen takime që përqendrohen në artet interpretuese, ku artistët hulumtojnë lidhjet midis arteve pamore dhe formave të tjera të shprehjes artistike bashkëkohore. Si një pasqyrim i kohës sonë, Fondacioni Cartier përfshin të gjitha fushat krijuese dhe gjinitë e artit bashkëkohor, duke filluar nga dizajni në fotografi, nga piktura në video-art dhe nga moda në artin e performancës.

Thomas Delamarre përzgjedh nga koleksioni i Fondacionit Cartier për të pranishmit në bashkëbisedim veprën “EXIT” (2008-2015), një filmim mbi temën e migrimit njerëzor bazuar në një instalacion origjinal të krijuar nga arkitektët amerikanë Liz Diller dhe Ricardo Scofidio në bashkëpunim me filozofin francez Paul Virilio.

Materiali filmik vë në dukje se popullsia botërore është në lëvizje të vazhdueshme. Ndër 7 miliardë banorët e këtij globi prirja më e fortë është ajo e dyndjes në hapësirat urbane. Ndërkohë që migrimi është rrjedhojë e një sërë shkaqeve, parësisht atyre sociale dhe ekonomike. Shumë rëndësi i jepet në film rrënimit të mjedisit, si një problematikë shumëplanëshe e cila vjen si pasojë jo vetëm e shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe shterimit të tyre natyralisht, por edhe shpërdorimit të tyre, për shkak të një mungese të theksuar ndërgjegjësimi të qenies njerëzore gjë që ka çuar gjithashtu edhe në ndikimin negativ ndaj kushteve klimatike.

Materiali filmik pasqyron grafikisht gjithçka lidhur me lëvizjen shumëdrejtimëshe të njerëzimit në periudhën në të cilën po jetojmë dhe kryen një parashikim të afërt të kushteve drejt të cilave njerëzimi po shkon, duke ndjekur furishëm ritmin e shkatërrimit të burimeve të veta jetësore.