Platforma Harabel pati kënaqësinë të zhvillonte një workshop në bashkëpunim me artistin Tim Dirdamal, përgjatë periudhës 23 mars – 15 prill, 2022, në Tiranë.

Workshop-i me titull “Dokumentimi i së Ardhmes” pati për qëllim të gjejë narrativa dhe procese krijuese të reja në përpjekjen artistike.

Një grup artistësh (regjisorë, artistë konceptualë, piktorë, kërcimtarë, muzikantë…) u ftuan për të lënë pas mënyrat e vjetra dhe për të kërkuar narrativa të reja për projektet e tyre aktuale. Duke u zhvendosur larg rregullave të propozuara nga institucionet artistike, fokusi qe puna pa formula, duke kërkuar në të ardhmen për mënyra më të freskëta, më sfiduese dhe më të thella për të shprehur atë që ndodhet në brendësi.

Tin Dirdamal ndau me pjesëmarrësit përpjekjet e tij për të dokumentuar të ardhmen dhe orientoi grupin në zbërthimin e proceseve të tyre krijuese në kërkim të risisë. Qëllimi kryesor i këtij workshop-i ishte që artistët e ftuar të mund të eksploronin dhe të hapnin dyer të reja në procesin e krijimtarisë së tyre; dyer që flasin nisur nga intimiteti i vërtetë dhe thellësia e së brendshmes.

Grupi u mblodh për 9 seanca në një periudhë prej 3 javësh (3 seanca në javë). Çdo seancë zgjati 2,5 orë për një total prej 22,5 orësh.

Biografia e Tin Dirdamal

Ka lindur 165 kilometra në jug të kufirit SHBA-Meksikë, regjisor autodidakt dhe rastësisht artist, i cili ka përfunduar studimet për inxhinieri. Ai e mat suksesin e filmave të tij me aftësinë për të braktisur sa më shumë prej vetes në këtë proces. Gjithashtu i vetë-mësuar në psikologji dhe arkitekturë, mjetet e tij më të dobishme gjatë realizimit të projekteve janë dyshimi dhe kontradikta.

Ai është një avokat i plagjiaturës dhe është i painformuar rreth çështjeve botërore. Ai beson se gënjeshtra mund të jetë një instrument për t’iu qasur së vërtetës. Atij i duhen mesatarisht 5.5555 vjet për të përfunduar një film dhe është i bindur se mund të dokumentojë të ardhmen dhe është përpjekur ta bëjë këtë shumë herë. Ai është cigan dhe nomad, jeton nëpër vende duke pranuar faktin që do t’i braktisë ato së shpejti.

Ai së fundmi po punon për të realizuar një film të shkurtër për artisten shqiptare Lumturi Blloshmi, që do të ekspozohet në Bienalen e Venecias në 2022.

Filmat e tij janë ftuar dhe vlerësuar në disa nga vendet më të rëndësishme të artit dhe festivalet e filmit në mbarë botën duke përfshirë: Muzeun M+ (Hong Kong), Bienalen FEMSA (Meksikë), CCCB (Barcelona), Bienalen e Venecias, Sundance, Visions du Reél, IDFA, L’Alternativa, La Mostra de São Paulo, Jihlava, Torino, Mar del Plata, BAFICI, FICUNAM, Ambulante, DokuFest. Ai ka qenë mentor për kineastë, kërcimtarë bashkëkohorë, muzikantë, piktorë dhe artistë konceptualë në proceset e tyre krijuese. Ai është ftuar të mbajë seminare dhe klasa masteri në UCLA, YALE, NYU, Hunter, UMASS, Union Docs (Brooklyn), DocLab (Hanoi), La Arrocera (Meksikë), Art House (Shqipëri) dhe L’Alternativa (Barcelona). Ai ka qenë i ftuar në jurinë e Toulouse, ish FICCO (Meksikë), Bushwick dhe Karakas.