Qendra Harabel në bashkëpunim me Akademinë e Arteve të Bukura të Lecce-s dhe Galerinë FAB, prezantoi në datë 31 janar, ora 18:00, ekspozitën “Piccolo Mare”, një projekt i cili u zhvillua me mbështetjen e Ambasadës Italiane dhe Institutit Italian të Kulturës. Kjo ekspozitë mori nismë nga edicioni i XVI i Çmimit Kombëtar të Arteve – Artet Pamore (PNA), një konkurs kombëtar i studentëve të Akademive të Arteve të Bukura organizuar nga Ministria e Universitetit dhe Kërkimit, që u zhvillua në qytetin e Leçes, nga data 18 nëntor deri më 16 dhjetor.
Ekspozita “Piccolo Mare” bën bashkë të gjitha veprat e seksioneve të ekspozuara në edicionin e XVI të PNA-së dhe punimet e studentëve të Universitetit të Arteve në Tiranë.
Ekspozita ka si qëllim të sjellë në vëmendje nevojën e brezit të ri për të krijuar forma të reja të të kuptuarit, të bashkëjetesës, ndërveprimit, sidomos pas pandemisë, me shpresën se përmes artit do mund të arrihet një reflektim, duke risjellë në jetë aspektet komunikuese e krijuese për të cilat Europa e re ka nevojë.
Ky projekt konfirmon bashkëpunimin e fortë dhe të natyrshëm mes dy vendeve dhe kulturave të tyre, të bashkuar buzë detit dhe nga aspekte të panumërta historike dhe sociale, dhe synon të rrisë nxitjen e shkëmbimit formues mes artistëve të rinj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 31 janar deri më 14 shkurt 2023 në galeritë Harabel dhe FAB.