Galeria “Debussy” sjell në ambientet e saj projektin vetjak të artistit Eltjon Valle. Ekspozita përmban vepra të përzgjedhura të artistit të realizuar ndër vite. “Konflikte të Pakorruptueshme” është kuruar nga Klodi Dedja dhe qëndroi e hapur për vizitorët nga data 12 Shtator 2025 – 12 Tetor 2025, Tiranë.

...

Kjo ekspozitë është e ndarë në një seri me piktura me teknikë të përzier dhe një tjetër me skulptura. Veprat kanë kuptime të rëndësishme sociale dhe antropologjike, me një rëndësi parësore tek ekologjia, e cila sjell në vëmendje ndotjen mjedisore që pasqyron pasojat e zgjedhjeve të kolektivitetit. 

Artisti rikrijon materie në formë konceptuale si për ti dhënë një kuptim ndryshimeve që sjell ndotja mjedisore, duke i dhënë kështu një identitet të ri, me një ndjenjë retrospektive për pasojat e zgjedhjeve tona kolektive, mbi planetin dhe brezat e ardhshëm. Për skulpturat, Valle përdor materiale të riciklueshme si titan, alumin, naftë ose përbërje të ndryshme kimike, së bashku me objekte si një arush pellushi, një violinë, një raketë tenisi dhe një skulpturë klasike, duke kështu një botë me objekte që i përgjigjen njëra-tjetrës përmes një konflikti të vazhdueshëm. Rikrijimi i skulpturës klasike, “The Belvedere Torso”, shndërrohet në një skenë të papritur metamorfoze, ku fluturat, krijesa të brishta e kalimtare, prekin vetë idenë e përjetësisë. Në këtë seri, flutura shndërrohet në një simbol universal të ndryshimit dhe bukurisë kalimtare. Ndërsa tek pjesa tjetër e skulpturave, te cilat janë të mbuluara me naftë, fluturat krijojnë një balancë, si rezultat i një konflikti mes veprimeve dhe mendimeve të një kolektivi, duke përcjellur një mesazh më simbolik dhe optimist. Këto objekte të mbuluara me naftë, reflektojnë “vuajtjen” e materialeve të ekspozuara nga ndojtja. 

Në tërësi, ekspozita e Eltjon Vallës shndërrohet në një reflektim të thellë mbi marrëdhënien mes njeriut dhe mjedisit, duke e vendosur shikuesin përballë pasojave të veprimeve kolektive dhe nevojës për ndërgjegjësim ekologjik. Përmes ndërthurjes së materialeve të papritura dhe simbolikës së fortë vizuale, artisti arrin të krijojë një dialog mes shkatërrimit dhe rigjenerimit, mes dhimbjes dhe shpresës.

Eltjon Valle (lindur në vitin 1984 në Tiranë, Shqipëri) është një artist bashkëkohor vizual, puna e të cilit ndërthur pikturën, skulpturën dhe kërkimin mjedisor. Në veprat e tij ai eksploron marrëdhënien komplekse midis njeriut dhe natyrës, duke reflektuar mbi temat e industrializimit, ndotjes dhe rigjenerimit ekologjik. Valle është i njohur për përdorimin eksperimental të materialeve si mbetje nafte, hi dhe mbetje industriale, të cilat i shndërron në vepra poetike dhe konceptuale. Përmes këtyre materialeve ai ngre një dialog mbi degradimin e mjedisit dhe mundësinë e ripërtëritjes. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës në Milano, Valle ka ekspozuar gjerësisht në Evropë dhe veprat e tij gjenden në koleksione publike dhe private. Aktualisht jeton dhe punon midis Milanos dhe Tiranës.